Analisti Mustafa Nano tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se protestat në Los Angeles i japin pikë Donald Trump-it. Nano tha se protestat duket se janë jashtë kohe dhe shumica e amerikanëve mbështesin vendimin e Presidentit amerikan për emigrantët e paligjshëm.
“Në Amerikë ka dy shpirtëra, shpirti republikan i personifikuar nga Trump, por dhe shpirti i demokratëve, që kanë një logjikë tjetër, vizion tjetër, filozofi tjetër, ata s’janë të shqetësuar aq sa republikanët për praninë e emigrantëve të paligjshëm në Amerikë. Një nga arsyet pse Trump është zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë, ka të bëjmë me premtimin, me qëndrimin që do mbante ndaj emigrantëve të paligjshëm. Duket se pjesa që proteston në rrugë kundër masave të Trump-it, duket se janë jashtë kohe dhe shumica e amerikanëve është dakord me Trump-in. Këto protesta i japin pikë Trump-it. Është një Amerikë e re në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë mandat Trump duket më i vendosur në qëndrimet e veta, në ultimatumet për rritjen e buxhetit për ushtrinë".
Ndër të tjera Nano tha se mbetet problem që “s’kemi një vizitë shtetërore të Ramës në Athinë dhe një vizitë shtetërore të një kryeministri grek në Tiranë, në 12 vite”.
“Do ta kërkoja fajin te të dyja palët, jo vetëm te pala greke. Faji është i dyanshëm. Unë vet kam pritur më shumë nga Greqia në marrëdhëniet tona dypalëshe”.



