
Kryetarja e Komisionit të Integrimit Europian, Jorida Tabaku së bashku me dy deputetë të PD, Arbër Agalliu dhe Bledion Nallbati zhvilluan sot një takim me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Dendias.
Takimi vjen në ditën kur Shqipëria mikpret samitin e BE për Ballkanin Perëndimor dhe ndërsa vendin e ka vizituar dhe shefi i qeverisë greke, Kyriakos Miotsotakis.
Gjatë diskutimit në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë duke pasur në vëmendje investimet e Greqisë në vend. Ndërkohë që deputetët demokratë kanë diskutuar në lidhje me pensionet e shqiptarëve që kanë punuar në Greqi.
Ndërkohë që në fokus ka qenë çështja e integrimit Europian ku deputetët demokratë vlerësuan ndihmën e Greqisë në procesin e integrimit. Deputetja e PD vlerësoi ndihmën e Greqisë në çështjen e Kosovës dhe rrugëtimin e saj në anëtarësimin në institucionet multinacionale, sigurisht me qëllimin final njohjen e plotë të Kosovës dhe avancimin ne proceset integruese.
Ministri i jashtëm grek Dendias u shpreh i kënaqur nga raportet që kanë vendet me njëri tjetrin dhe që ndajnë vlera të përbashkëta. Ai shprehu mbështetjen për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe theksoi rëndësinë e integrimit Europian.



