
Analisti dhe gazetari Mustafa Nano, e kundërshton idenë e hedhur nga kryedemokrati Basha për kufizimin e mandateve të kryeministrit në dy të tilla. Në një intervistë në studion e lajmeve në TvT, Nano tha se kjo është një praktikë amerikane, që në Europë nuk ndiqet. Nano shtoi se qarkullimi i elitave mund të bëhet vetëm nëpërmjet ndërrimit të kryetarëve.
“Me kufizimin e mandatit të kryeministrit nuk ka precedentë në botën demokratike. Kryeministrin e zgjedh populli. Ka udhëheqës që rrinë më shumë se dy mandate. Ky është një version amerikan, një logjikë e tillë dhe ne do të bëjmë mirë të mos përpiqemi të imitojmë, sepse modeli amerikan është larg nesh. Lidhur me qarkullimin e elitave ka një mënyrë tjetër: të ndërrohet kryetari. Kur ndërrohet kryetari, atëherë ndërrohen vetvetiu elitat. Në Perëndim kemi njerëz që kanë lindur deputetë dhe vdesin deputetë. Kryetari mund të bëjë qarkullim elitash”, tha ai.



