Edvin Kulluri nga “Djathtas 1912” tha në MCN Live se gara që zhvillohet në PD nuk mund të konsiderohet primare.
Ai vuri në dukje se primaret janë debat i brendshëm, që mungon në PD, e cila sipas tij është parti personale e Berishës.
“Nëse në PD do kishte vërtet garë e votë, unë do isha në PD sot. PD s’ka primare, sepse primarja është tjetër gjë, s’është kjo që thonë këta, por këtu tallen me njerëzit dhe hedhin shashka, dhe demokratët s’e kanë më. Primaret janë debat i brendshëm, si në SHBA, 3-4-6 muaj. Ky është proces zgjedhor që është bërë gjithmonë në PD, përveç 2017-ës, kur Basha e vendosi listën i vetëm. Nuk ka primare në PD. Ka një garë. Berisha e ka të qartë dhe e ka thënë gjithmonë, kjo është një parti personale, që sot e kam unë, nesër mund ta ketë e bija, apo kushëriri i 17-të. Një vit ndenjën me bluzën ‘lironi doktorin’!” Dy partitë e mëdha kanë vrarë edhe garën brenda partive dhe garën elektorale. E vetmja garë serioze është gara për kryetar bashkie, që është mazhoritare. Kjo tregon rënien në sondazhe të dy partive të mëdha”.
Duke folur për partinë “Djathtas 1912” Kulluri tha se “perceptimi është që ne do të jemi në Parlamentin e ardhshëm. Kemi synimin që në qarqet e mëdha të përfaqësohemi. Do bashkohemi të gjithë në listat e hapura për të maksimalizuar rezultatin. U kemi bërë thirrje edhe partive të reja”.



