
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur, Përparim Rama për kryetar të komunës së Prishtinës.
Abdixhiku ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale edhe për punët që i ka kryer ai në vendet e ndryshme në botë, përfshirë edhe për angazhimin e tij për planifikimin hapësinorë të Lojërave Olimpike.
“Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqiptar, i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim. I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në Neë York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë, Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës”, ka shkruar Abdixhiku.
Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës.
Është edhe ligjerues në univeristete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’. Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë.
"Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një Kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh”, ka thënë kryetari I LDK-së në prezentimin e tij për kryetar.
Zgjedhjet e fundit vendore për 38 kryetarë komunash në Kosovë janë mbajtur në tetor të vitit 2017. Sipas kalendarit të rregullt, të rejat duhet të mbahen në tetor të këtij viti.



