
Kryetari i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas marrjes së rekomandimit për hapjen e negociatave me BE. Nga Berlini, Basha thotë se ky nuk është një moment për të festuar, por për të punuar.
Përmes një reagimi në rrjetin social “Facebook”, kryedemokrati Basha thekson se ky është një vendim i rëndësishëm që i paraprin takimit të Këshillit Europian në 28-29 qershor 2018, kur vendet anëtare do të vendosin për hapjen e negociatave me Shqipërinë.
"Sot nuk është momenti për të festuar, por për të punuar. Disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit", tha Basha.
Kryedemokrati Basha thotë se disa nga vendet kryesore Europiane janë skeptikë për Shqipërinë, dhe kërkojnë arritje dhe prova të vërteta, veçanërisht në shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
"Një nga këto vende është Gjermania, parlamenti i së cilës është ende i pavendosur për qëndrimin ndaj Shqipërisë. Sot kam zhvilluar takime të shumta me parlamentarë dhe funksionarë të qeverisë gjermane, në të cilat kam argumentuar pro hapjes së negociatave si një hap i rëndësishëm në vetvete për të forcuar demokracinë, shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Zhvillova seancë dëgjimore me deputetët e grupit më të madh parlamentar gjerman CDU/CSU, dhe me anëtarët të Komisionit për Çështjet Europiane dhe të Politikës së Jashtme", vazhdon më tej Basha.
Kreu i opozitës tregon për takimet që ka zhvilluar gjatë vizitës së tij në Gjermani dhe thekson se shpreson që këto takime të kenë kontribuar sadopak që qeveria gjermane dhe Bundestagu të mbështesë dhe votojë pro hapjes së negociatave, duke i hapur rrugën votës pro të Gjermanisë në qershor. Sikurse shpresoj që edhe Franca dhe Hollanda do të përqafojnë aspiratën e madhe të shqiptarëve për të qënë pjesë e BE-së.



