
Shqipëria do të ofrojë paketa të përbashkëta rajonale turistike për tregjet e treta. Kjo është risia e prezantuar nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë Panairit Ndërkombëtar “I.T.B Berlin Fair”, që po mbahet këto ditë në Gjermani.
I ftuar në Konferencën Ministeriale të Turizmit ku ishte zgjedhur për të folur mbi zhvillimin e turizmit, si përfaqësues i Ballkanit, ministri Klosi theksoi se tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë për të hartuar paketa të përbashkëta rajonale për tregun aziatik.
Duke vlerësuar panairin e Berlinit si një nga panairet më të rëndësishëm në botë, ministri Klosi shprehu kënaqësinë që tour operatorët shqiptarë dëshmojnë që gjithmonë e më shumë janë të pranishëm në këtë treg biznesi turizmi në Mesdhe.

Gjatë takimeve të shumta me investitorët të rëndësishëm, ministri Klosi mori garancinë se Shqipëria është në fokusin e tyre të interesit për të investuar në hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje. Ndërsa disa prej tour operatorëve më të mëdhenj në botë tashmë e kanë marrë vendimin për të hyrë edhe në Shqipëri. Megjithatë ministri Klosi theksoi se kapacitetet e hotelerisë vijojnë të jenë të cunguara dhe për këtë arsye Shqipëria akoma nuk arrin të plotësojë kërkesat e tregut.
Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj me një prani të gjerë tour operatorësh nga vendi. Panairi Ndërkombëtar i I.T.B. Berlinit, është panairi më i madh i turizmit në Europë dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë. Ky panair vizitohet nga 180 mijë vizitorë biznesi nga afro 200 vende të botës.






