Për herë të parë në pesë vjet, negociatat mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ndërmjetësohen nga Miroslav Lajçak.
Bashkimi Evropian ka emëruar Peter Sorensen si emisar të ri për dialogun mes dy vendeve fqinje.
Zyrtarisht, ai nis punën sot dhe do të fokusohet vetëm në dialogun Kosovë-Serbi, pa u angazhuar në çështje rajonale të Ballkanit, siç ka vepruar paraardhësi i tij.
57-vjeçari Sorensen është një diplomat me shumë vite përvojë dhe njohës i rajonit.
Ai ka qenë i angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në pozita të tjera në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Miroslav Lajçak ka përfunduar zyrtarisht mandatin e tij si emisar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, duke ia dorëzuar detyrën pasuesit të tij, Peter Sorensen. Në një postim në platformën “X”, Lajçak njoftoi mbylljen e një periudhe katërvjeçare dhe dhjetëmujori angazhimi intensiv në procesin e negocimit mes dy vendeve.
Lajçak e cilësoi këtë periudhë si një sfidë të madhe, por gjithashtu si një përvojë të vlefshme, duke theksuar marrëveshjen që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars 2023, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.
Burime të Radios Evropa e Lirë në Bruksel pohojnë se suksesi i vërtetë në dialog tashmë do të varet nga presioni dhe angazhimi i shteteve kryesore të Bashkimit Evropian, sidomos Gjermanisë dhe Francës.
Por, ato po përballen me sfida politike të brendshme, dhe për këtë arsye, “njeriu i ri i dialogut” Sorensen mund të mos ketë fuqinë politike që ndoshta do të dëshironte.
Megjithatë, sipas këtyre zërave, është e sigurt që nuk do të ketë kthim pas në angazhimet që kanë marrë Kosova dhe Serbia.
Të dyja palët do të duhet të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme.
Marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të rëndësishme për rrugën e mëtejshme.
Disa kritikohet Lajçak për dështimin në bindjen e palëve për nënshkrimin e marrëveshjes, duke e cilësuar mandatin e tij më shumë si një menaxhim krizash sesa një përpjekje për zgjidhje afatgjata.



