Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, tha në Kuvend se qeveria ka vjedhur buxhetin faktik të vitit 2023, duke e trajtuar si plaçkë tregu.
Noka tha se mosbindja civile e opozitës do të vazhdojë.
“Vetëm një rrugë ka për t’u marrë vesh me ju, vetëm mosbindja civile. Dëgjoj që flasin më gjuhë bolshevike dhe shfryjnë mllef dhe duf ndaj opozitës. Silloja përcaktonte politikat, ndërsa Nafija si urdhëron z.Sillo, nuk kishte të drejtë as t’i diskutonte urdhrat, kjo është gjendja që e keni katandisur Kuvendin. Nuk pranojmë asnjë këshillë nga hajdutët. E keni vjedhur buxhetin faktik të vitit 2023. Ne kemi ardhur sot t’ju çjerrim maskën. E keni trajtuar opozitën si armike. Kjo zonja Nafija, sapo u ul në atë karrige, aktin e parë që bëri është që i shpalli luftë opozitës. Ju ëndërroni një Parlament monist, një vend monist, sepse sulltani s’duron dot zë ndryshe, do skllevër, do një tufë me pengje, me të cilët ndan pasuritë e Shqipërisë dhe i vjedh të gjitha, dhe pastaj thotë hëngrën kumbulla pas shpine, kur i dalin zbuluar. Mosbindja civile do vazhdojë derisa të kërrejë. Buxhetin e keni trajtuar si plaçkë tregu”.



