
Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas përplasjes mes deputetit demokrat Flamur Noka dhe kryebashkiakut Erion Veliaj këtë paradite në Komisionin e Medias.
Në mesazhin e tij në rrjetin social "Facebook", kreu i qeverisë thotë se PD është zbrazur mendërisht, por është e angazhuar fizikisht..
Mbi këtë rast, Rama shkruan se PD ka “firuar” dhe është kthyer në një parti që angazhohet fizikisht. Kryeministri ka ironizuar sjelljen e deputetit, duke thënë se SHQUP-i e meriton një leje ndërtimi për ngritjen e një kulle pranë selisë blu, aty ku të vijnë për të banuar të gjithë deputetët që kryejnë sportin “Trup më Trup”.
"Një parti e zbrazur mendërisht e politikisht(se shpirtërisht ka firuar me kohë), por e angazhuar fizikisht e ka kthyer debatin parlamentar në një teatër gjuhësh e gjymtyrësh të dhunshme! Pse mos u japim një leje ndërtimi te SHQUP-i për Kullën e Sporteve Trup me Trup?", shkruan Rama.
Këtë të martë, në kryesinë e Kuvendit, ardhja pa ftesë e Veliajt në komision ka sjellë një reagim të ashpër të deputetit Noka, teksa ky i fundit madje tentoi dhe ta nxjerrë nga mbledhja forcërisht kryebashkiakun.



