
Bashkia Kukës ka paditur për shpërdorim detyre anëtarët e KZAZ nr.11 të qytetit të Kukësit. Duke theksuar se anëtarët e kësaj KZAZ-je vazhdojnë të mbajnë të bllokuara, në mënyrë të paligjshme, mjediset në Shkollën e Mesme “Havzi Nela”, pasuri e kësaj bashkie, Kryebashkiaku Bashkim Shehu, shprehet se ata po konsumojnë veprën penale të Shpërdorimit të Detyrës.
Në padinë dorëzuar Prokurorisë së Shkallës së Parë Kukës, arsyetohet se anëtarët e KZAZ-së Kukës kanë konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim, pasi kanë penguar Bashkinë Kukës në ushtrimin e detyrës së saj, duke refuzuar kthimin e objekteve të zëna, si dhe në rolin e funksionarëve publikë, kanë refuzuar të zbatojnë kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Pas daljes së dekretit të presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve, anëtarët e KZAZ-së Kukës i lëvizën materialet zgjedhore nga mjediset e Qendrës Kultutore “Hasan Prishtina”, por vazhdojnë të mbajnë të bllokuar palestrën sportive të shkollës së mesme “Havzi Nela”, në kundërshtim me ligjin.
Bashkia Kukës, duke vlerësuar se çdo veprim i ndërmarrë në kundërshtim me Dekretin e Presidentit gjykohet si shkelje e legjislacionit penal dhe kërkon procedimin penal të anëtarëve të KZAZ-së Kukës, për shpërdorim detyre, sipas nenit 248 të Kodit Penal.



