
Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj, i njohur si burri i ministres së arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini. Ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë, njofton kumtesa nga Partia PSD, transmeton Koha.net .
Përmes një njoftimit për medie, Policia thotë se arrestimi është bërë konform detyrimit ligjor, me urdhër- arrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm.
Sipas tyre, urdhër-arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet për policinë, që i pandehuri Dardan Molliqaj, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë Themelore, transmeton Koha.net.
"Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës", thuhet në njoftimin e tyre.
Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015.
“Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj partie.



