Nga çadra e lirsë siç e kanë quajtur demokratët, Lulzim Basha ka vijuar me akuzat ndaj kreut të qeverisë Edi Rama. Sipas kreut opozitar gjatë këtij mandate qeverisës, kryeministri ka treguar se jo vetëm që nuk i respekton gratë por madje i dhunon ato duke i çuar edhe drejt vetëflijimit.
Duke folur nga protesta e opozitës, Basha tha se gratë shqiptare treguan se kjo nuk është një ditë feste por ditë proteste. Sipas kryedemokratit, “modeli shpirt-kazëm i pushtetit të Ramë ka shtyrë dhjetëra gra drejt vetëflijimit për vështirësitë që u ka sjellë”.
“Është ditë proteste e qëndrese, dhe gratë sot i vunë vulën evropiane 8 marsit, jo ditë feste, por ditë proteste. Me qëndresën e forcën që kanë demonstruar këto vajza, gra, janë heroinat tona, të çdo shqiptari. Shpirti i luftës për drejtësi, për të drejtat që shkelen ditë për ditë nga një qeveri që ka dalë jashtë ligjit po na nxjerrin jashtë realitetit normal të vendit. Të gjithë e dinë se vlerat rrjedhin nga edukata e arsimimi. Shembulli i nënave tona, shembulli i duhur që na frymëzon të gjithëve, e në veçanti politikanët që marrin vendime të rëndëishme për vendin. Por e dimë se sa katastrofik është shembulli i gabuar. Rrënjën e së keqes e kemi te shembulli i kreut të qeverisë, që ka sjellë në pushtet një model që nuk respekton por dhunon të gjithë shqiptarët, për gratë në veçanti. Nuk ka dhembshuri, por ka arrogancë për të gjithë. Model shpirt-kazëm që ka shtyrë dhjetëra gra drejt vetëflijimit për vështirësitë që i ka sjelli modeli i krimit në pushtet. Ky është modeli të cilin shqiptarët janë ngritur për ta larguar përmes votës së lirë. Edi Rama me sjelljen e tij me pasojat e rënda përfaqëson vetëm modelin e krimit, drogës, trafikantëve që i bëri depuetetë e kryetarë bashkish. Krimi i bërë njësh me pushtetin kërcënon të drejtat tona themelore,” tha ai.



