Ambasada e SHBA në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për shtetasit amerikanë në prag të protestës së opozitës, e cila pritet të zhvillohet pasditen e së premtes në kryeqytet.
Në reagimin zyrtar thuhet se protesta mund të përhapet edhe në zona të tjera përreth, ndërsa autoritetet pritet të marrin masa të shtuara sigurie, përfshirë bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit para dhe gjatë tubimit.
Ambasada bën me dije se personeli i saj është udhëzuar të shmangë zonën ku do të mbahet protesta. Gjithashtu, qytetarëve amerikanë u kërkohet të mos marrin pjesë në grumbullime dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në Tiranë.
Në njoftim këshillohet shmangia e zonave të protestës, ndjekja e mediave lokale për përditësime në kohë reale, si dhe planifikimi i rrugëve alternative në rast emergjence. Ambasada thekson se, edhe pse protesta mund të nisë paqësisht, situata mund të ndryshojë me shpejtësi.



