
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se protestat do të vazhdojnë nga opozita deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
Ai e bëri të qartë se vendimi i parë i kryesisë së PD ishte hartimi i një kalendari për vazhdimin e protestave në të gjithë vendin.
Ndërsa shtoi më tej se një tjetër vendim i dalë nga kjo mbledhje është edhe ngritja e shtabeve politike.
“Vendimi i parë i Kryesisë ka të bëjë me hartimin e një kalendari protestash popullore të shtrira në të gjithë vendin dhe natyrisht protestave kombëtare në Tiranë për të cilat në ditët në vijim Kolegji i Kryetarëve dhe Këshilli Kombëtar i PD do të marrin vendimet përkatëse të organizimit të kalendarit të datave të mobilizimit mbarëqytetar për të vazhduar protestat mbarëpopullore për largimin e Maduros së Ballkanit. Do të hartohet një kalendar për vazhdimin e protestave në të gjithë vendin. Është marrë një vendim për ngritjen e shtabeve në nivel qendrorë dhe lokal, të cilët në bashkëpunim me opozitën e bashkuar do të bëjnë të mundur organizimin e protestave në të gjithë vendin. Morëm vendimin për shpalosjen e programit të PD. Ne do t’i japim Shqipërisë vizionin tonë me besimin se Shqipëria do të ketë një të ardhme. Bashkë me qytetarët shqiptarë do të marrim vendime se si do të shkojë kjo e ardhme. Politikat tona për pensionet, për biznesin, sipërmarrjen që të hapë vende pune, politikat tona për zhvillimin ekonomik dhe një vendi në krah të njerëzve. Morëm vendimin për ndërthurjen e këtij turi protestash me një tur programi për Shqipërinë”, tha Basha pas mbledhjes së kryesisë për mediat.
Po ashtu Basha tha se se demokratët bashkë me protestat do vazhdojnë të shpalosin alternativën dhe programin e PD. Ai shtoi se partia synon të fuqizohet dhe se nuk heq dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme, prandaj edhe po punohet për gjetjen e kandidatëve më të denjë.
Basha shtoi se janë marrë edhe vendime të tjera që kanë të bëjnë me fuqizimin e PD.
"Në funksion edhe të synimit tonë, zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe paraqitjes me kandidaturat më të denja të PD-së në këto zgjedhje, natyrisht edhe në zgjedhjet e tjera vendore të cilat presin", deklaroi Basha.



