
‘Foltorja’ e Sali Berishës do të zhvendosur nesër në Gjirokastër, me shpresën për të bindur demokratët se SHBA dhe Lulzim Basha e kanë gabim dhe ai është përjashtuar nga grupi i PD dhe shpallur ‘non grata’ nga DASH padrejtësisht.
Takimit të Berishës në Gjirokastër, demokratëve dhe militantëve të tij, do t'i bashkohen edhe ish-presidenti Bujar Nishani, deputeti i PD për Gjirokastrën, Tritan Shehu dhe kryetari i PD Gjirokastër, Dasho Aliko.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nishani bën me dije se nesër do i bashkohet “Foltores” së Berishës në Gjirokastër.
“Të nderuar miq, nesër, e mërkurë 6 tetor, ora 18:00 do t’ju bashkohem demokratëve të Gjirokastrës në Foltoren e Z. Berisha !
Qyteti simbol i trashëgimisë dhe bukurisë sonë kulturore, jet e mót ka qenë edhe simboli i patriotizmit dhe ndershmërisë njerëzore.
Të gjithë bashkë për tu bërë më të fortë dhe fitimtar”, shkruan Nishani.
Poashtu, Aliko dhe Shehu, kanë konfirmuar pjesëmarrjen përmes rrjeteve sociale.



