
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në inaugurimin e terminalit të ri të udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të cilit nga sot i shtohet barriera digjitale, që do të skanojë pasaportat. Rama nuk i kurseu kritikat ndaj koncesionarit të mëparshëm, i cili nuk u ka qëndruar detyrimeve të kontratës, sipas tij.
Është një investim shumë i mirëseardhur për faktin se aeroporti po përballej me një presion të jashtëzakonshëm si rezultat i rritjes jashtë parashikimeve të numrit të pasagjerëve për t’u shërbyer. Ky terminal i ri, i ndërtuar në kohë rekord, dhe i munguar prej shumë vitesh prej një marrëveshje të mëparshme, të trashëguar koncesionare me mjaft probleme dhe prej një kompanie të huaj që nuk i qëndroi korrekt detyrimeve, as për terminalin e ri, as për zgjatimin e pistës, as për krijimin e një numri të ri vendqëndrimesh të avionëve që sot është bërë realitet, as për hapësirat e nevojshme të parkimit, as për procesimet e shpejta e cilësore. Sot këto po i shohin dhe prekin drejtpërdrejt dhjetëra apo mijëra pasagjerët shqiptarë e të huaj që hynë e dalin nga aeroporti. Sot është vënë në punë sistemi i ri teknologjik i skanimit të pasaportave në hyrje dhe dalje.
Rama tha se leximi digjital i pasaportave do të lehtësojë fluksin e hyrjeve dhe daljeve.
Falë punës së Ministrisë së Brendshme dhe kompanisë “Kastrati”, e cila qysh në ditën e parë të nënshkrimit të marrëveshjes së re është angazhuar në të gjithë frontin e punëve që duhen bërë në aeroport. Nga nesër të gjithë qytetarët shqiptarë që do të vijnë në aeroportin e “Rinasit” nuk do të kenë më një lexim manual nga punonjësi i policisë që i sheh në sy e pastaj shef pasaportën dhe pastaj prapë i sheh në sy. Por do të kalojnë në barrierën dixhitale të kalimit të pasaportës për gjysmë minute. Do të lehtësojë shumë fluksin e hyrjeve. E njëjta gjë vlen për ata me pasaportë të BE, SHBA, Britanisë dhe Kanadasë.
Një vit më parë, qeveria njoftoi ndryshimin e kontratës së koncesionit të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, duke e zgjatur kohëzgjatjen e saj nga 22 vjet në 35 vjet. Kompania koncesionare që menaxhon aeroportin e Rinasit është Tirana International Airport. Të gjitha aksionet e saj disponohen nga Kastrati Group. Kompania kineze “Real Fortress Private Limited”, e cila zotëronte 100% të aksioneve të “Tirana International Airport”, e ka menaxhuar aeroportin deri në fund të vitit 2020, për t’ia kaluar më pas Kastrati Group.



