Deputeti demokrat, Flamur Noka, tha sot se operacioni i kryer mbrëmë në Krujë, që u finalizua me sekuestrimin e 1.3 tonëve kanabis, është bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi Informativ.
“Nëse Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë dijeni për aksionin, droga dhe trafikantët shpëtojnë”, tha Noka, duke shtuar se lënda narkotike është sekuestruar në territorin e Artur Bushit.
Noka tha se sipërfaqja e kultivuar ma kanabis është pesëfishuar, por Rama dhe Tahiri nuk e pranojnë këtë fakt.
“Sipërfaqja është pesëfishuar. Vetëm dy vetë e mohojnë, Rama dhe Tahiri. Nuk pritet që ata ta pranojnë se dihet që ata e drejtojnë dhe menaxhojnë. Droga vazhdon çdo ditë sepse krijon fondin që i duhet për të blerë votat. Rama ka të vetmen alternativë, drogën. Është në dorën e shqiptarëve ta pastrojnë vendin nga droga. Shqipëria pa Edi Ramën është Shqipëri pa drogë”, tha ai.



