Kryedemokrati Sali Berisha premtoi sot se me PD-në në pushtet do favorizohen bizneset e çelura nga grate.
Prezantimi i programit u bë në një fasoneri në Durrës, nga ku Berisha foli për kredi të buta dhe favorizime me një vit pa sigurime shoqërore.
“Unë shoh se këtu dominojnë gratë. Absolutisht do ketë stimuj të veçantë për bizneset që dominohen nga gratë. Do ketë lehtësira qoftë në sigurimet e tyre shoqërore, qoftë në trajnimin e tyre. Sikundër për gratë që hapin biznese, se ne duam të barazojmë gjendjen financiare të burrave dhe grave, dhe në këtë aspekt ne do favorizojmë bizneset e çelura nga gratë. Do i favorizojmë me një vit pa sigurime shoqërore, do i favorizojmë me taksa, do i favorizojmë me linja të buta krediti.
Pra, ne do kemi një bankë zhvillimi, e cila në përparësitë e saj do ketë financimin me kredi të buta dhe grante të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë. Kështu pra me 11 maj ne me votën tonë çelim një kohë tjetër për Shqipërinë Madhështore. Çfarë është Shqipëria Madhështore? Shqipëria Madhështore është Shqipëria në të cilën njerëzit nuk vuajnë për kafshatën e gojës. E ka thënë një burrë i madh se madhështia e një kombi dëshmohet se sa ai tregon interes për të mbështetur të vobektit e tij. Prandaj ne do bëjmë që asnjë shqiptar të mos jetë më në mjerim brenda tre muajve të parë.
Brenda tre muajve të parë të qeverisjes sonë to vendosim minimumin jetik 200 euro. Në këtë mënyrë, sipas përllogaritjeve, u bëhet e mundur që të blejnë ushqimet dhe ilaçet. Natyrisht që këta të gjithë do kenë taksën e konsumatorit, do të përfitojnë rikthimin e TVSH-së. Kjo ishte paketa e dhembshurisë, shtylla e parë, se ne nuk mund të ecim duke injoruar 700 mijë, 800 mijë pensionistë. Shiko se çfarë bëri ky zotëria në qeveri. Pati 8 miliardë buxhetin vjetor dhe ndau për pensionistët 16 milionë euro”.



