Kreu i PD-së së Rithemelimit Sali Berisha, tha se Veliaj me modelin 100 përqind ka vjedhur me drejtorët e tij 38 milionë euro.
Në fjalimin e zakonshëm nga dritarja e ballkonit të banesës ku ndodhet në arrest shtëpie, Berisha bëri thirrje që të premten "të gjithë t’i bashkohen protestës para bashkisë", për “të shpëtuar Tiranën dhe Shqipërinë”.
Miqtë e mi, nuk ka kryebashkiak kund në Europë, as në botë, që t’i thotë qytetit, t’i thotë qytetarëve se kam mbjellë 1 milion pemë vetëm për të vjedhur shumat e blerjes së 1 milion fidanëve. Ku i ke pemët Erion, që meriton çdo cilësor mbrapa, por po e ruaj gojën se ti meriton çdo cilësor? Ku janë 1 milion pemët? Kush i vodhi? A e dinë qytetarët se janë blerë pisha me çmime 5600 euro, me çmime 6200 euro? Këta hajdutë nuk kanë mëshirë, këtyre hajnia ua ka zhveshur shpirtin nga çdo gjë. Ndaj dhe e premtja është larg për t’i dhënë atë që meriton. Miqtë e mi, të premten të gjithë te bashkia, të shpëtojmë Tiranën, të shpëtojmë Shqipërinë.
A ka kryetar bashkie në Europë apo në botë që vjedh paratë për kopshtet e fëmijëve? Që tenderon kopshtin 3 herë dhe nuk i gjendet nam as nishan. A ka njeri të pangopur si ky Erion Veliaj, që ndërton shkollën me 8 milionë euro, me 10 milionë euro, në një kohë kur Bashkimi Evropian ndërton shkolla me 600 mijë euro, me 800 mijë euro? A ka në Europë, në botë hajdut të dytë si ky që i jep paratë e taksapaguesve me tender vëllait për t’i bërë dasmën? Edhe dasmën e bën mbi hajninë në kështjellën e Gjirokastrës? A ka turp më të madh për ne, për kryeqytetin, se të mbajmë një njeri si ky? Të dashur miq, sot po kontrolloja publikimet mbi tenderat e Tiranës. Është marrë vesh se me modelin 100 përqind ka vjedhur me drejtorët e tij 38 milionë euro. Vjedhur 100 përqind. A mund të tolerohet ky? Po nuk ka turp më të madh se të jetë ky kryetar bashkie? Nuk ka turp më të madh se të mos jetë ky atje ku e kanë vendin hajdutët më të shpifur të një kombi, të një vendi".



