Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, ka reaguar lidhur me faktin se sot vendi shënoi numër rekord viktimash për shkak të koronavirusit. Duke marrë shkas nga një takim që ka patur me mjekët, për të cilët thotë se nuk kanë mbështetje nga shteti, Basha përsërit gjithashtu se numri i vërtetë i vdekjeve është më i lartë, por nuk deklarohet. Një akuzë e cila edhe dit më parë ngjalli shumë reagime për shkak se është shumë sensitive.
STATUSI NGA LULZIM BASHA
U takova sot me një grup nga mjekët tanë të mrekullueshëm. Ata janë në vijën e parë të luftës me COVID. I përgëzova për përpjekjen e tyre për të shpëtuar jetë. Mjekët tanë përballen heroikisht në këtë betejë, edhe pse nuk marrin thuajse asnjë ndihmë nga qeveria.
Ata më përshkruan një realitet shumë shqetësues. Sot, një numër rekord vdekjesh janë regjistruar në Shqipëri që nga marsi. Fatkeqësisht, numrat e vërtetë që fsheh Rama janë shumë më keq.
Shqipëria hyri në krizën e COVID në një situatë të vështirë, pas 7 vitesh përgjatë të cilave Rama e gjunjëzoi ekonominë dhe rrënoi sistemin tonë shëndetësor. Qytetarët e Shqipërisë janë ata që po e paguajnë çmimin e papërballueshëm. Shqipëria ka nevojë për një qeveri funksionale që punon për njerëzit dhe kujdeset për ta. Është në dorën tonë ta bëjmë realitet këtë.



