Gazetarja investigative Lindita Çela, e ftuar në emisionin 'Të Paekspozuarit' në MCN TV, ngriti shqetësimin për situatën e pronave në Zvërnec, ku dhjetëra familje vazhdojnë të përballen me procese gjyqësore për njohjen e pronësisë së tokave të trashëguara ose të përfituara sipas ligjit 7501.
Sipas Çelës, prej vitit 2013 e deri më sot janë ndërmarrë një sërë ndryshimesh ligjore në fushën e pronësisë, por problemet për banorët mbeten të pazgjidhura.
Ajo theksoi se 93 familje në Zvërnec janë ende të përfshira në procese gjyqësore, ndërsa në përpjekjet për regjistrimin e pronave të tyre kanë hasur në një vendim gjykate të vitit 2003, i cili, sipas saj, ngre dyshime për manipulim të dokumentacionit.
Gazetarja deklaroi gjithashtu se një sipërfaqe prej 89 hektarësh është regjistruar si pronë shtet mbi bazën e një dosjeje ku figuron emri i një varrmihësi. Ky i fundit, sipas dëshmisë së dhënë para prokurorëve, ka mohuar të ketë pasur dijeni për pronën apo të ketë kryer ndonjë aplikim lidhur me të.
Banorët e Zvërnecit kanë prona të trashëguara ose të përfituara nga ligji 7501, kanë paguar taksat ndër vite, por 93 familje vazhdojnë të jenë në procese gjyqësore. Ndërkohë, një sipërfaqe prej 89 hektarësh është regjistruar si pronë shtet në emër të një varrmihësi, i cili deklaron se nuk kishte dijeni dhe nuk kishte aplikuar për të.



