Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i kujtoi sot presidentit Meta se është nën hetim për shkelje kushtetuese nga komisioni i posaçëm i ngritur në Kuvend dhe hodhi poshtë pretendimet për shpërndarjen e Parlamentit pas 15 marsit në rast se nuk merret parasysh dekreti për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një prononcim për mediat sot paradite, Balla tha se kreu i shtetit nuk ka kompetencat për të shpërndarë Parlamentin.
“Kuvendi e shkarkon presidentin dhe procesi i shkarkimit certifikohet nga Gjykata Kushtetuese. Presidenti thënë në gjuhën popullore i vjen anash kuvendit për të shpërndarë Kuvendin", tha ai.
Balla shtoi se një hipotezë e tillë është thjesht material për biseda kafenesh.
"Ai është në hetim përsa u përket shkeljeve kushtetuese. Dua ta nxis komisionin hetimor që në marrëdhënien e ndërtuar me Komisionin e Venecias të vijojë punën. Mos ia zini veshët kot dhe mos jepni arsye për diskutim në kafene me historinë se presidenti pas 15 marsit do të shpërndajë Kuvendin. Ai ka një axhendë intensive javët që vijnë”, tha Balla.



