Bisedimet dy ditore Kosovë-Serbi/ Asnjë vendim i arritur në Bruksel

Bisedimet dy ditore Kosovë-Serbi/ Asnjë vendim i arritur në Bruksel

Delegacionet e Serbisë dhe Kosovës për dy ditë radhazi u takuan në Bruksel me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, por përveç diskutimeve për dallimet që kanë palët, asnjë vendim zyrtar nuk është arritur. Në përfundim të bisedimeve, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve të kaluara në kuadër të dialogut.

I ngarkuari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, diskutimet e delegacioneve në Bruksel që i zhvilloi edhe ndarasi edhe bashkë, i quajti ato përmbajtjesore.

 “Diskutime të gjera për elementet e dialogut, marrëveshjet e kaluara, çështjet aktuale dhe hapat e ardhshëm në drejtim të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, shkroi Lajçak në Twitter.

Pala kosovare e kryesuar nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që është i ngarkuar me çështjen e dialogut, tha se në takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura deri tani në kuadër të dialogut dhe për vërejtjet që kanë palët në lidhje me zbatimin e tyre.

“Ne kemi parashtruar vërejtjet tona për marrëveshjet në lidhje me hapat e deritanishëm të Serbisë, për shembull për marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit, njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, pastaj marrëveshjen e fusnotës, pasi kemi parë që pala serbe nuk i ka përmbushur detyrimet e saj ndaj këtyre marrëveshjeve”, tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Nga ana tjetër edhe pala serbe e kryesuar nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se pala kosovare asnjëherë gjatë bisedimeve nuk e përmendi çështjen e të zhdukurve ose formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ne u kemi thënë atyre se Asociacioni është kusht mbi kushtet nëse duam të ecim më tej. Asociacioni nënkupton realizimin e të gjitha të drejtave të qytetarëve serbë, sepse incidente të shumta janë vetëm provë se sa i nevojshëm është formimi i tij”, tha Petar Petkoviç.

Sipas tij, Serbia i ka përmbushur pothuajse të gjitha marrëveshjet në kuadër të dialogut dhe se ankesat e delegacionit të Kosovës kishin të bënin kryesisht me çështje teknike të zbatimit të tyre.

Ndonëse vetë Lajçak më herët tha, se takimet e delegacioneve kosovare dhe serbe në Bruksel janë parapërgatitje për takimin e radhës të nivelit të lartë ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit në fund të korrikut, megjithatë dje nuk u përmend data e saktë e këtij takimi.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy