
Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Rregullores është shoqëruar me debate mes opozitës dhe maxhorancës për shkak të propozimit të socialistëve për ndryshimin e rregullores së Kuvendit. Në emër të PD-së, deputeti Eduard Halimi tha se maxhoranca po nxiton ta bëjë ndryshimin e rregullores, pavarësisht se opozita e ka shprehur qëndrimin e saj kundër.
“Në kalendarin e punimeve të Kuvendit nuk është përfshirë ndryshimi i rregullores së Kuvendit. Pse nxitoni që ta bëni me shpejtësi këtë ndryshim të rregullores? Duhet të paktën 2 javë pastaj të vinte në Këshillin e Rregullores. Kërkoj të hiqet nga rendi i ditës. Ne kemi qëndrim kundër propozimit”, tha ai.
Përfaqësuesit e administratës së Kuvendit shpjeguan se propozimi nuk është future në kalendarin e punimeve, por thjesht në program. Ndërsa deputeti tjetër demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha se është përdorur një term që lë vend për interpretime të ndryshme.
“Ju e keni futur në pikë të dytë të rendit të ditës, ku thoni “njohja”. Çfarë do të thotë njohja? Leksiku i përdorur është i papërshtatshëm”, tha ai.
Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, tha se futja në rendin e ditës mund të shtyhet për në 26 janar, nëse ka dakordësinë e opozitës.
“Njohje do të thotë dy gjëra. Prezantohet nisma dhe 2 përcaktohen relacionet.Kam vetëm një hall. Kemi 2 vjet që kemi bërë reformë kushtetuese dhe nuk kemi bërë ndryshimet në rregullore. Rasti i fundit nxori dy probleme: Kuvendi i drejtohet Prokurorisë së përgjithshme. Në Kushtetutë i është hequr kjo e drejtë prokurorisë. Problemi i dytë, votimi. Nëse opozita e kërkon, jam dakord që të hiqet nga rendi i ditës. Dhe të futet më datë 26 janar”, tha ai.
Ditëte fundit, opozita e ka kundërshtuar ashpër propozimin e PS për ndryshimin e rregullores për arrestimin e deputetëve.



