Richard Grenell ka vizituar Tiranën ditët e fundit ku është takuar me krerët e politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Republikës Ilir Meta.
Ditën e diel Grenell ndau një foto me kryeministrin Rama, ku krahas saj shkroi se ishte takuar për një drekë me mikun e tij shqiptar në Tiranën e nxehtë.
“Rrëfime ngjarjesh gjatë një dreke këtë të diel me mikun dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama – në Tiranën aq të nxehtë”, ka shkruar Grenell në llogarinë e tij në Instagram.
Ndërkohë këtë të hënë, Grenell është takuar dhe me presidentin Ilir Meta.
Lajmin e ka bërë të ditur presidenti Meta i cili shkroi se para se Grenell të udhëtojë drejt jugut i ka dhuruar librin “Albania from Air”.
"Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes Ambasadorin Grenell.
Mbështes përpjekjet e tij të vazhdueshme për të promovuar investimet amerikane dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon, si e vetmja mënyrë për të garantuar mirëqenie për të gjithë qytetarët tanë dhe veçanërisht brezin e ri.
Përpara vizitës të tij në Jug të vendit i dhurova librin "Albania from the Air", një botim i veçantë mbi mrekullitë natyrore shqiptare, pasi jam i sigurt se herën tjetër ai do të shpenzojë më shumë kohë për të eksploruar Shqipërinë tonë të bukur", shkruan Meta.



