
Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka nisur me akuza fjalën e mbajtur në nisje të seancës parlamentare për vitin, duke thënë se deputetët ktheheshin pas një muaji në vendin e krimit atë që ai quan kapjen e prokurorisë së përgjithshme nga kryeministri Rama.
Gjatë fjalës së tij, kyreopozitari ka kujtuar seancën e fundit të 18 dhejtorit ku u zgjodh vetëm me votat e mazhorancës të prokurores së përgjithshme me mandat të përkohshëm, dhe theksoi se menjëherë pas zgjedhjes së saj nisën edhe favoret ndaj kryeministrit Edi Rama, siç ishte kthimi i pasaportës Saimir Tahirit, dhe lirimi i Orest Sotës.
"Pas kurorëzimit të Ramës me kryeprokurorin, Saimir Tahirit ju hoq masa shtrënguese ndalimit të daljes nga Shqipëria. I dyshuari për pastrim të parave të Tahirit, Orest Sota, u lirua. Po bëhen përpjekje të mëdha për të ndaluar hetimet në adresë të kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, dhe të Elbasanit, Qazim Sejdini.
Ish-deputetit të mazhorancës Mark Frroku, dhe fabrikës së kokainës në Xibrakë, ku ka dyshime të forta për përfshirjen e familjarëve të Ramës, ju ul dënimi, dhe prokuroria nuk mori mundimin ta kundërshtojë. Këto janë vetëm aktet e para në më pak se 4 javë të kapjes së prokurorisë, pasi prokuroria ka refuzuar hetimin e akteve të 18 dhjetorit, falsifikimin e dhunimit dhe të rregullores në seancën e zgjedhjes së kryeprokurores”, tha Basha.
Kryeopozitari ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Rama duke thënë se njeriu që ka uzurpuar kreun e ekzekutivit, njeriu që drejton me grusht të hekurt teatrin e kukullave të grupit të tij parlamentar të dalë nga vota e blerë e 28 qershorin, drejton sot edhe prokurorinë e vendit. "Ky krim kushtetues u paralajmërua nga partia Demokratike", u shpreh kreu i opozitës.



