
Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj solli në seancën plenare raportin e Bankës Botërore për t’iu referuar për çështjen e rritjes ekonomike. Ai tha se ekonomia nuk është opinione, por fakte të cilave duhet t’iu referohemi.
Duke cituar raportin e BB, ai tha se ekonomia shqiptare tregon trend inkurajues teksa konsumi privat është rritur rekord.
Ekonomia sigurisht që nuk është opinione askund, as në parlament dhe as përtej parlamentit. Është fakte dhe na bën mirë që t’i referohemi. Kur japim opinione ose ide duhet t’iu referohemi statistikave. Nuk jam duke e bërë situatën rozë, por jam duke e vendosur në kontekst. Ekonomia shqiptare tregon trend inkurajues. Rritja e fortë e ekonomisë vjen si rezultat i vaksinimit, mungesës së mbylljes dhe ringritjes së shërbimeve të udhëhequra nga turizmi dhe ndërtimi. Nëse do të vazhdojë pjesëmarrja në punësim, trendi i uljes së varfërisë do të vazhdojë. Konsumi privat është rritur rekord. Një e dhënë tjetër që ka të bëjë me investimet, rritja e kapitalit fiks bruto, investimet e sipërmarrjeve për të rritur kapacitetet e tyre prodhuese.
Nga ana e saj, deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku rritjen ekonomike me 17.9% sipas qeverisë, e lidh me ditën e zgjedhjeve. Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku theksoi se në SHBA ekonomia është rritur vetëm 6%, ndërsa rritjen ekonomike në Shqipëri deputetja demokrate e quan si artificiale dhe e lidh atë me zgjedhjet.
I lanë shqiptarët në mëshirë për një vit dhe krenohen se dhanë tre paga. Varfëria ka shkuar në 41%. Këto janë fakte dhe dokumenta të prodhuara nga ju. Është rritur ekonomia me 17.9%. Amerika e ka rritur me 6%. E gjitha është e ditës së zgjedhjeve. 120 milion eurot e rindërtimit kanë rritur ekonominë. E gjithë rritja artificiale që është vetëm page3sat që rriten me ditën e zgjedhjeve. Shqipëria reale është ajo që po përjeton inflacionin. Qeveria që mbron gjithmonë të madhin. Qeveria e majtë që na jep ne këtu leksione për tregun, ndërkohë që kanë zhdukur konkurrencën.



