Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, është shprehur sot e indinjuar me Bashkimin Evropian për mos-reagim ndaj situatës me Kosovën.
Në një komunikim me Tv serb “Pink”, ajo ka hedhur poashtu akuza të rënda ndaj Kryeminstrit të Kosovës se po “ëndërron dëbimin e serbëve nga Kosova”.
“Nuk kam çfarë të shtoj për sjelljen e Evropës. Ata s’po bëjnë asgjë ose pak fare në raport me Kosovën. Nënshkrimi i tyre është në Marrëveshjet e Brukselit”, ka deklaruar ajo.
Kryeministrja serbe ka thënë se BE-ja jo vetëm që e toleron Kosovën për marrëveshjen e Brukselit që nuk zbatohet për nëntë vjet, por edhe s’bën zë për “shkeljet që ka bërë Kosova”.
”Dhe BE-ja në mbledhjet ku isha në Neë York më pyesnin se çka duhet të bëjë Serbia që situata të mos përshkallëzohet. E po, ju duhet të respektoni fjalët që keni dhënë, atë bëjeni. Si fillim, qe nëntë vite, ju jeni garantues të Marrëveshjeve të Brukselit, garantues të implementimit të tyre, sepse ajo që kemi tani mund të zhduket për pesë minuta”, ka deklaruar Brnabiç.
Ajo gjithashtu ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke thënë se “ai ëndërron dëbimin e serbëve nga Kosova” dhe “për një Operacion Stuhia”, duke ju referuar betejës përfundimtare mes Serbisë dhe Kroacisë të vitit 1995.
Ajo tha se Kurti "ëndërron për operacionin “Stuhia” dhe se ngjarjet në Jarinje "ishin një ushtrim demonstrues, ose dëshirë që ajo të ndodhte, dhe të pastronte Kosovën nga serbët dhe joshqiptarët".
Siç theksoi ajo, "ai skenar më i zi nuk do të ndodhë.
“Falë vizionit dhe inteligjencës së Aleksandër Vuçiç, i cili e ka rinuar ushtrinë, më nuk do të ndodhin kolonat e gjata me traktorë të serbëve që ikin për në Serbi qëndrore”, deklaroi ajo.
Ajo konsideron se ekzistenca e një ushtrie të fortë serbe dhe shërbimeve të tjera të sigurisë serbe ruajtën paqen në Veri.
Sipas saj, situata duhet të kthehet në situatën para mbërritjes së forcave speciale të Kosovës në Jarinje dhe pastaj “të ulemi dhe të flasim”.



