
Ministria e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka kërkuar në KLD të merret masë ndaj katër gjyqtarëve dhe nisjen e inspektimit për relatorin e çështjes "Veliera" në Durrës, për shkak të vonesës në zbardhjen e vendimit.
Mbledhja e radhës e KLD është parashikuar të mbahet më 7 maj dhe në rendin e ditës, janë vendosur shqyrtimet e kërkesave për masë disiplinore.
"Unë si ministre e Drejtësisë ka çuar katër raste për masë ndaj 4 gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Presim të mblidhte KLD dhe të merret vendimi", ka thënë Gjonaj.
Ndërkohë ministrja tha se do të kërkojë nga KLD inspektimin e punës së Ergys Gashit, relatorit të trupit gjykues që shqyrtoi çështjen "Veliera" në gjykatën administrative Durrësit.
"Në bazë të kompetencave që ka, ministri i Drejtësisë i është drejtuar Inspektoriatit të Këshillit të Lartë Drejtësisë për inspektimin dhe verifikimin e rastit. Presim rezultatet e raportit të Inspektoriatit të KLD-së dhe pas kësaj ministri i Drejtësisë do të propozojë masat sipas përcaktimeve ligjore të reja", tha Gjonaj.
Në një bashkëbisedim me studentët e Universitetit Aleksandër Moisiu mbi Reformën në drejtësi, ministrja Etilda Gjonaj theksoi se cështja po ndiqet me seriozitet ndërsa shtoi se ankesa për rastin kishte ardhur nga Kryetari i Bashkisë Durrës.



