
Pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit ku forcat serbe rrëmbyen tre pjesëtarë të Policisë, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka vendosur të organizojë sot një mbledhje. Në Kryeministri deri më tani ka arritur, kryeministri, Albin Kurti, zëvendësministri, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Petrit Ajeti, drejtori i AKI-së, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Policia e Kosovës ka deklaruar se tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në territorin e Kosovës, në vijë kufitare. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë duke patrulluar thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Mbledhjet e Këshillit zhvillohen nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti, për çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal. Detyrë e këtij Këshilli është rekomandimi i politikave dhe i strategjive për sigurinë.



