
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri publik pasditen e sotme denoncimin e ish-oficerit të policisë, Emiliano Nuhu, i cili thotë se është kërcënuar me armë për të mbyllur dosjen e djalit të deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, i akuzuar për përdhunimin e Xhensila Malokut.
Basha e cilësoi një dëshmi tronditëse atë të oficerit Nuhu.
“Mirëmbrëma. Sot kam ndjekur një dëshmi tronditëse të një oficeri që quhet Emilano Nuhu. Ky oficer, në detyra të ndryshme, dëshmon nga azili politik se si është sulmuar nga kriminale dhe politikanë sepse u përpoq që të mbronte një vajzë të pafajshme dhe të pambrojtur që është torturuar mizorisht nga familjarë të pushtetit. Sot jam ketu para jush që t’i kërkoj çdo nëne dhe babai që të ndajmë nga koha juaj për ta parë dhe dëgjuar këtë dëshmi tronditëse. Është e rëndësishme që ta ndjekim të gjithë sëbashku veçanërisht të kushteve të dezinformimi dhe censurës që pushteti po ushtron. Sot ju kërkoj juve dhe mediave që të mundësojnë dëshminë e oficerit”, tha Basha.
Oficeri i policisë në Fushë-Krujë, Emiljano Nuhu, thotë se është kërcënuar në prani të deputetit Taulant Balla. Në lidhje me këtë, vetë Balla reagoi pas denoncimit duke thënë se do të kallëzojë PD-në për shpifje.



