
Seanca plenare në Kuvend u shoqërua me tensione dhe debate, ku deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u përjashtua pas një përplasjeje me drejtuesin e seancës.
Debati nisi pas replikës së ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, kur Boçi kërkoi të marrë fjalën.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se deputeti nuk ishte përmendur drejtpërdrejt në diskutim dhe, sipas rregullores, nuk kishte të drejtë replike.
Pas fjalës së ministres, Boçi këmbënguli se i takonte e drejta e replikës, duke argumentuar se deklaratat e saj i referoheshin drejtpërdrejt atij.
Megjithatë, kërkesa e tij u refuzua nga kryeparlamentari, çka solli reagime të menjëhershme në sallë.
Opozita e konsideroi refuzimin si kufizim të së drejtës për debat parlamentar, ndërsa situata u përshkallëzua më tej kur Boçi u rikthye në foltore pavarësisht vendimit të drejtuesit të seancës.
Pas paralajmërimeve dhe tërheqjes së vëmendjes, kryetari i Kuvendit vendosi përjashtimin e deputetit Boçi nga seanca, vendim që u kundërshtua nga deputetët e opozitës si i padrejtë dhe në kundërshtim me praktikën parlamentare.
Opozita ka braktisur sallën e Kuvendit, pas vendimit të kryeparlamentarit Niko Peleshi për të përjashtuar deputetin e PD, Luçiano Boçin.



