Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka reaguar Vetëvendosjes pasi kanë bërë vendosjen e disa shamive të kuqe nëpër Prishtinë. Mustafa i ka kërkuar kandidatit për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurtit që t’i shpjegojë simbolikën e shamive të kuqe të lidhura në pemët e vendit. Me anë të një postimi në Facebook, ai shkruan se vota është shprehje e vullnetit politik dhe se qytetarëve duhet tu shpjegohen të gjitha simbolikat si të marshimeve edhe të lidhjes së shamive në pemë.
“Vota është vendimmarrje e qytetarit. Për të marrë vendim, element themelor është informata”, thotë ai.
Kreu i LDK-së ka pyetur se çka paraqesin shamitë e kuqe e çka do të thotë republika e tretë.
“Nuk jam i sigurt se qytetari është i informuar se çfarë paraqesin shallat e kuqe të lidhura në drunjtë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, për të ardhmen e vendit. Çfarë është simbolika dhe mesazhi i marsheve në sheshet e qytetit tonë? Çfarë është Republika e Tretë? Një shtet e bëmë me SHBA-të dhe me partnerët tanë evropian, të zotuar për demokracinë perëndimore. Ndërkaq, VV duhet ta qartësojë se kush janë partnerët e saj për Republikën e Tretë. Ndryshe, në qoftë se votohet vetëm me emocione, rrezikojmë të vejmë shallat e kuqe rreth qafe, të marrëshojmë si në Revolucionin Kulturor Kinez e të mbesim pa asnjë republikë! Vota është përgjegjësi ndaj shtetit tonë”, ka thënë ai.
Ky reagim i Isa Mustafës ka ardhur për shkak se gjatë marshimit nëpër qytetet e Kosovës, Albin Kurti lidhi disa shami të kuqe në pemë.




