Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka thotë se rezultati i zgjedhjeve të pjesshme në pesë bashki të vendit, ishte i pritshëm.
Ai deklaroi për edicionin e lajmeve në MCN TV, se e diela tregoi se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe se bojkoti i qytetarëve në zgjedhje, tregoi farsën elektorale.
Ndoka e cilësoi si lëvizje taktike nga opozita, mbështetjen e kandidatëve të pavarur.
Dihet publikisht që nuk organizohen zgjedhje. Edi Rama si duket nuk tërhiqet nga stili i tij, ka vendosur që t’i mbajë ato copat e pushtetit me çdo kusht dhe çmim, pa respektuar standardet dhe pa hequr dorë nga mekanizmat e kthyer në sistem. Ky është lajmi më i keq për demokracinë shqiptare, pluralizmin, votën.
Opozita në një farë mënyre bëri një lëvizje taktike, kur sheh dhe këtë produkt dhe indiferencën e qytetarëve. Kjo është njësia matëse që orienton dhe politikën, një bojkot i tillë i qytetarëve dhe ata e kuptojnë se zgjedhjet janë farsë.
Është dështim dhe për opozitën në tërësi. I thellon skandalet e veta. Pesa kryesore e diskretitimit total, është mbi Kryeministrin. Sot problemi më i madh është ky Kryeministër, kjo mazhorancë dhe produkti që ai prodhon.
Sot kemi zgjedhje në Vlorë për tekat e Kryeministrit, njërin e largon, tjetrin e detyron në dorëheqje. Jemi në një krizë institucionale, morale dhe politike dhe të gjitha llojet së bashku.
Gjithsesi bojkoti i qytetarëve duket, se ne po shkojmë deri aty sa kryetarin e bashkisë e votojnë punonjësit e tij dhe familjarët e tyre. Ndoshta ka ardhur momenti që politika të reagojë për standardet, jo dy partitë mendojnë për pazaret e veta politike.
Kur Kryeministri bllokon konkurrencën, kur nuk i ke mundësitë që të hysh në një garë normale. Kjo ishte lëvizje taktike e zgjuar nga opozita, për faktin që iu dha mundësinë të gjithëve, faktorit ndërkombëtar, së pari, që ky personazh nuk i zhvillon zgjedhjet, edhe nëse opozita ka problemet e veta, dolën kandidatë të pavarur dhe me demokraci dhe me votë qytetarët do i mbështesnin ata, qoftë dhe për ndëshkim ndaj qeverisë.



