
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka deklaruar se nuk e përjashton si mundësi shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Konit, pas përplasjes që ky i fundit ka pasur me dekanët e 4 fakulteteve.
Nikolla është shprehur se nuk do ishte herezi nëse do të shkarkonte Konin, ndërsa ka shtuar se më parë ka kërkuar edhe shkarkimin e rektorëve.
"Nuk është herezi të zbatosh pikën 7. Nuk është kjo prirja në këtë moment. Unë jam ministrja e Arsimit që kam kërkuar shkarkimin e dy rektorëve mandatin e shkuar. Një është shkarkuar, tjetri është refuzuar nga Presidenti. Edhe kur rektori refuzonte, kam respektuar gjithë të drejtën e tij për t’u mbrojtur", tha Nikolla.
Prej disa muajsh në Universitetin e Tiranës ka pasur përplasjes mes rektorit dhe dekanëve të fakulteteve, ku ata i kanë kërkuar shkarkimin e Konit ministres së arsimit.
Në "Tonight Ilva Tare", ministrja sqaroi arsyen e vonesës së pagave për pedagogët në Universitetin e Tiranës.
"Besoj që është një moment i tejkaluar. Ishte një problem teknik midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave. Unë mbrojtja autonominë financiare, Ministria e Financave mbi ligjet e shtetit. U tejkalua ky moment. Edhe pa qenë ministre e arsimit dhe pasi mora detyrën, kishte muaj që pedagogët e Universitetit të Shkencave të Natyrës për shkak të konfliktit të rektorit dhe kancelarit", deklaroi ministrja.
Nikolla tha se është e gatshme të takojë pedagogët e forumit të cilët javën e kaluar kërcënuan me greve. Ajo tha se nuk ka asnjë shkresë zyrtare nga pedagogët, por është gati të ndajë me ta të gjitha shqetësimet.



