Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë mbrëmë në një intervistë për agjencinë britanike Reuters se Serbia po kërkon lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar dhe mënyra për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës, raporton blic.rs.
Pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Vuçiç tha se serbët e Kosovës nuk duhet të përfshihen në dhunë kundër trupave të NATO-s dhe anëtarëve të misionit të Bashkimit Evropian atje.
Askush, në asnjë rrethanë nuk duhet të përfshihet në sulmet mbi Eulex dhe KFOR.
Vuçiç kërkoi lirimin e serbëve të Kosovës të arrestuar së fundmi sepse sipas tij “ata mbahen me akuza të sajuara” dhe tërheqjen e policisë së Kosovës, në përputhje me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE që përcakton “pëlqimin e kryetarëve serbë në zonë për këtë”.
Policia e Kosovës nuk ka çfarë të bëjë në veri, veçanërisht njerëz të armatosur deri në dhëmbë. Kjo shkakton shqetësim dhe frikë në popullatën serbe.
Agjencia britanike pretendon se Vuçiç ka refuzuar të specifikojë se cilat hapa ka miratuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare në seancë.
Pasi policia dhe EULEX u sulmua nga grupe kriminale në veri, BE, Shtetet e Bashkuara dhe NATO kërkuan përmbajtje nga të dyja palët dhe kërkuan heqjen e barrikadave



