
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat tha se 17 anëtarë të grupit parlamentar vendosën mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar. Ai vuri në dukje se është porpozuar një platformë për ngritjen e PD, që i shërben bashkimit, jo ndarjes. Ai tha se vendimi i kryesisë për të mbledhur Këshillin Kombëtar shkel statutin. “Të enjten u deklarua mbledhja e Këshillit Kombëtar në datë 20. E mbështeta menjëherë, por nuk kisha njohur përmbajtjen konkrete të tij. Jam këtu të deklaroj se vendimi bie ndesh me statutin e PD-së. Vendimi i Kryesisë i heq kompetencat e sekretarit të përgjithshëm duke ua kaluar zyrtarëve që nuk kanë asnjë përgjegjësi për organizimin e partisë. Sipas rregullores së Këshillit, njoftimi për mbledhjen e Këshillit Kombëtar është kompetencë e sekretarit të përgjithshëm. Pas konsultimit me kolegët e grupit parlamentar, 17 anëtarë të grupit venosen mospjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Kombëtar”, tha Bardhi pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së zyrtare.



