Aleanca për Shqipërinë Europiane zhvilloi takimin përmbyllës elektoral në Leskovik për zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kolonjës.
Zv. kryeministri Niko Peleshi, tha se kandidatura e koalicionit të majtë, është një zgjedhje e zgjuar nga banorët e zonës. “Do të fillojmë projektin e qendrës së Leskovikut; do të rikonstruktojmë objektet kulturore dhe do t’i japim Leskovikut gjithcka meriton”, tha Peleshi.
Ministri Gjiknuri, duke shprehur bindjen në fitoren e doktor Ilia Stefos, tha se kandidatura e tij është zgjedhur nga populli, për përkushtimin dhe devotshmërinë e treguar në punë. Ai premtoi se me fitoren e tij, do të realizohet projekti për ndërtimin e nënstacionit të Leskovikut.
Ministri Tahiri tha se e gjithë Kolonja do të fitojë me fitoren e kandidatit Stefo, pasi ai është një njeri që, me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do të bëjë për Kolonjën atë që nuk është bërë në 20 vite. “Kolonja ka nevojë për shërbimin e policisë dhe unë për këtë qëllim do të ndërtoj një postë policie”, premtoi Tahiri.
Në vijim të takimit në Leskovik, Ilia Stefo premtoi se ujësjellësi do të përfundojë, posta dhe nënstacioni gjithashtu. Ai premtoi se shkolla “Jani Vreto” do të rikonstruktohet për të marrë lavdinë e merituar.
Në zgjedhjet e pjesshme te 20 nëntorit për bashkinë Kolonje, kandidati Ilia Stefo ka përballe konkurentin Dritan Hajro, i propozuar nga opozita.



