
Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e 25 prillit. Gjithashtu ai ka edhe një apel për partitë politike duke theksuar që të pengojnë manipulimet.
Zingraf në një intervistë për DW, thotë se Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe se tashmë në këtë proces priten zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Shqipëria ka lënë pas 30 vite demokraci dhe me këtë përvojë ajo çfarë duhet të presë çdo shqiptare dhe shqiptar nuk mund të jetë asgjë më pak se zgjedhje të lira, të drejta, transparente dhe paqësore. Njëkohësisht dëshiroj t’i bëj thirrje çdo qytetareje dhe qytetari, të shfrytëzojë të drejtën e votës dhe të shkojë të votojë. Në demokracitë tona zgjedhjet janë një instrument qendror që na mundësojnë ne, të gjithëve, të bashkëpërcaktojmë zhvillimin e vendit tonë”, u shpreh Zingraf.
Ndërsa për aktorët kryesorë politikë lidhur me kapërcimin e polarizimit ekstrem, gjuhës së urrejtjes, konfrontimeve dhe tensioneve, ai përcolli mesazhin duke kërkuar gatishmëri për dialog në këtë fushatë zgjedhore.
“Respekti i ndërsjelltë dhe gatishmëria për dialog duhet të vlejnë edhe në kohë fushatash zgjedhore. Dhe në vend që të shpotisin dhe të flasin për njëri-tjetrin, tani do ishte një mundësi e mirë për partitë dhe kandidatët, të përqendronin debatet në programet e tyre përkatëse dhe në reformat që ata duan të propozojnë për përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve. Reforma zgjedhore dhe veçanërisht marrëveshja e 5 Qershorit treguan se aktorët politikë janë të aftë të ndërtojnë një dialog politik konstruktiv, edhe pse i arritur ky me vështirësi.
Dëshiroj të shtoj gjithashtu se, në vend ndodhen për momentin, ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, vëzhgues ndërkombëtarë, ku bëjnë pjesë dhe vëzhguesit e ODIHR-it, të cilët do të ndjekin më nga afër procesin”, tha ai.



