
Tre deputetët e LSI-së u kanë dërguar një letër institucioneve përgjegjëse për projektin e Unazës së Re, ku kërkojnë disa informacione.
Letra i është drejtuar Damian Gjiknuri, si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Afrim Qëndro Drejtor i Përgjithëshëm i ARRSH-së, Artan Lame, drejtor i ALUIZNI, Valdrin Pjetrit kryeregjistruesit dhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Deputetët e LSI, Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj, Floida Kërpaçi kanë renditur disa pyetje për të cilat kërkojnë përgjigje nga institucionet përkatëse.
Ata kërkojnë informacion lidhur me 6 pyetje dhe kërkohet t'u vihet në dispozicion gjithë procedura e ndjekur deri në procedurën e prokurimit publik. Gjithashtu kërkojnë informacionin zyrtar të shkëmbyer ndërmjet ARSH-së dhe Aluiznit lidhur me këtë projekt.
"Si deputetë përfaqësues të qarkut Tiranë prej më shumë se 28 ditësh kemi ndjekur nga afër situatën e krijuar me banorët e Unazës së Re lidhur me prishjen e godinave që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe pjesën tjetër të Unazës së Madhe të Tiranës. Banorët janë thellësisht të shqetësuar mbi fatin e pronës së tyre private dhe përveç konfrontimit në terren me punonjësit e institucioneve të ndryshme publike shprehen se nuk kanë asnjë informacion zyrtar mbi prishjet apo shpronësimet", shkruhet në letrën e deputetëve të LSI.
Por cilat janë pyetjet?
1 -Kush e ka hartuar projektin përfundimtar të zgjerimit të segmentit rrugor në zonën e Astirit dhe gjithë pjesën e Unazës së Madhe të Tiranës? Kush e ka kërkuar hartimin e këtij projekti? A është miratuar projekti përfundimtar konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Sa është vlera totale e projektit dhe a është bërë një studim fizibiliteti? Ju lutem të na vendosni në dispozicion projektin të shoqëruar me të gjithë detajet teknike.
2- A janë zhvilluar konsulta publike përpara miratimit të projektit përfundimtar nga institucionet shtetërore përgjegjëse?
3- Sa është numri i pronave private që janë përllogaritur të shemben për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti? Sa është sipërfaqja totale e këtyre pronave?
4- Sa prej këtyre pronave private janë të pajisura me çertifikatë pronësie dhe sa jo (ju lutem të na vini në dijeni numrin e objekteve shoqëruar me sipërfaqen totale të tyre). Sa prej objekteve janë në proces legalizimi?
5 -A ka filluar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar procesi i shpronësimit për objektet e pajisura me çertifikatë pronësie? A është miratuar VKM dhe VKB përkatëse? Sa është fondi i planifikuar për këtë qëllim?
6- Si janë trajtuar nga Aluizni ndërtesat që preken nga ndërtimi i kësaj vepre? A janë vlerësuar apo trajtuar më ndonjë akt shkresor përjashtimi apo kualifikimi objektet në proces legalizimi, sipas ligjit?
Përgjigjen deputetet e LSI-së Endrit Braimllari, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi kërkojnë që autoritetet ta shoqërojnë me dokumenta zyrtarë.





