
Pas shkarkimit të Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, ka reaguar edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila e quan një shkarkim të paligjshëm. Sipas Kryemadhit, shkarkimi i paligjshëm i Kryeprokurorit të Krimeve të Rënda është rasti me flagrant i Edi Ramës dhe veglës së tij në Prokurorinë e Përgjithshme!
"Besim Hajdarmataj ishte prokurori që nisi të hetojë për çështjen Tahiri, kërkoi dhe argumentoi ndalimin e tij me akuza të qarta dhe të bazuara, por që u hodhën poshtë nga deputetët e PS. Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen Tahiri që mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë. Emërimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk është kompetencë e Arta Markut! Por kjo nuk e ka penguar atë dhe shefat e saj në qeveri të ndërmarrin këtë veprim të paligjshëm në kohën kur të gjithë prisnin që çështja Tahiri të shkonte deri në fund", shkruan Kryemadhi në rrjetin social "Facebook".
Sipas saj, Edi Rama është i frikësuari i madh i drejtësisë bërtet lart e poshtë për Vettingun ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ndërkohë largon nga detyra Kryeprokurorin e Krimeve të Rënda pa pritur që ai të vetohet.
Kryemadhi paralajmëron Markun se ky akt i paprecedent rëndon mbi Prokuroren e Përgjithshme, e cila vetë nuk ka kaluar në procesin e Vettingut,
“LSI paralajmeron qartas prokuroren e përgjithshme dhe të gjithë strukturat përgjegjëse të mos guxojnë të hedhin hapa për të fshehur gjurmët e krimit. Çdo akt i tille i paligishëm, që nga ekstradimi i Naser Seitajt dhe deri te ky i sotmi është përgjegjësi e pastër penale e atyre që kanë firmosur urdhrat e kryeministrit", e mbyll reagimin e saj Kryemdhi.



