Eksperti për çështjet e integrimit, Gledis Gjipali hapjen e katër kapitujve për integrimin në Bashkimin Europian, e sheh si vazhdim të serisë së hapjes së gjithë kapitujve, që në vetvete është legjislacioni europian i cili duhet përafruar dhe kthyer në legjislacion të brendshëm, që do të thotë standarde më të larta në të gjitha fushat e jetës.
Duke folur për “MCN Live”, ai nënvizoi rëndësinë e kthimit të syve tek ekspertët, për të trajtuar problematikat që kërkohen në mënyrë të vazhdueshme.
Sipas tij, çështjet e mjedisit kanë qenë të neglizhuara nga institucionet për shumë kohë dhe se kapitulli i mjedisit është ndër më të vështirët për tu përmbushur, por edhe ndër më të kushtueshmit.
Mbyllja e tyre ndodh kur kemi realizuar në masën 100% të gjitha detyrimet që rrjedhin nga këta kapituj.
Kjo fazë e hapjes është e rëndësishme sepse nis procesin, por më rëndësi ka mbyllja, pasi do të thotë që i ke realizuar standardet.
Grupkapitulli i katërt i “agjendës së gjelbër” ka të bëjë me infrastrukturën e transportit, zhvillimin rajonal dhe mjedisin.
Mjedisi është një nga kapitujt më të vështirë dhe më të kushtueshëm, sepse prekin bizneset, qytetarët, por edhe rriten kostot për të arritur këto standarde.
Nëse nuk arrijmë që t’i realizojmë këto detyrime, nuk mbyllim dot procesin e negociatave, ndërkohë që objektivi është deri në fund të vitit 2027.
Është një periudhë shumë intensive dhe nevojitet bashkëpunim shumë i gjerë jo vetëm me institucionet shtetërore, por edhe me bizneset që janë ndotësit më të mëdhenj.
Gradualisht duhen rritur standardet mjedisore, po ashtu kontrolli i mjedisit është shumë i rëndësishëm, qoftë pjesa urbane dhe ajo rurale.
Ujërat po ashtu janë shumë problematikë, se janë ndotje që nuk kufizohen brenda një vendi por shkojnë edhe tek fqinjët tanë dhe sjellin pasoja dhe për ta.
Kjo çoi edhe në dedikimin e një ministrie për Mjedisit, por kërkon dhe një angazhim të rëndësishëm buxhetor.
Është domosdoshmëri angazhimi i ekspertëve të fushës, dhe për mjedisin ka një mungesë të madhe, për shkak se ka qenë një fushë e neglizhuar nga institucionet shqiptare.
Kujdesi nis që në nivel lokal, ku çdo bashki duhet të njohë ndotësit dhe të dijë si të trajtojë problematikat.
Sa më shumë i afrohemi Bashkimit Europian, aq më shumë zbulohen këto problematika.
Qoftë dhe në prodhimet bujqësore, ku pesticidet kanë lënë gjurmë ndër vite.
Patjetër duhet të kthejmë sytë tek ekspertët të cilët ofrojnë zgjidhje në nivel lokal dhe ulin dhe kostot e trajtimit të problemeve.
Puna më e madhe është pas hapjes së kapitujve, pasi do të jemi nën monitorim të vazhdueshëm.



