Gjatë një takimi me operatorët turistikë të qytetit të Vlorës, kryeministri Edi Rama pohoi se shërbimi ndaj qytetarëve dhe turistëve në vend lë për të dëshiruar, ndërsa theksoi rëndësinë se kushtet duhet të përmirësohen.
“E di që doni më shumë por pavarësisht të gjithave, mrekullia s’kemi bërë, por ajo që kemi provuar është se ne me një vizion që është i duhuri dhe se në funksion të këtij vizioni, dimë radhën e gjërave. Ne jemi në betejë me llumin e trashëguar për kanalet vaditëse. kemi dyfishuar sipërfaqen ujitëse. Ka akoma shumë për të bërë, por jam shumë optimist se me gjithë strategjinë që kemi ndërtuar dhe me mjetet që u kemi vënë bashkive, ne do arrimë që në harkun kohor të 2 viteve të ardhshme, mos të kemi më asnjë cm tokë buke që nuk ujitet. Nëse shohim rrugën e re përgjatë zonës së Labërisë, këtë nuk e bëjmë që të qarkullojnë normalisht njerëzit, por të rritet dhe ekonomia. Duhet të rrisim shërbimin. Edhe grekët që e kanë shërbimin të lodhur janë ku e ku me ne, sa i takon cilësisë së shërbimit”, tha Rama.
Gjatë bashkëbisedimit Rama u përball edhe me kërkesa të tjera nga operatorët, siç ishte rasti i një prej tyre që Kryeministri e identifikoi si demokrat.
Kryeministri ndodhet në Vlorë, ku përveç takimeve ai ka prezantuar edhe kandidatët e majtë për zgjedhjet e 18 qershorit, ku përsëri në këto zgjedhje do të jetë në listat qarkut të Vlorës për një mandat të dytë.



