
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, kërkon që deputetët e Kuvendit të njihen me kalendarin e takimeve të BE-së dhe rezultatet e tyre në mënyrë periodike.
Në një letër drejtuar kryetares Lindita Nikolla, Xhixho shprehet se informimi periodik në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit do t’i shërbejë gjithëpërfshirjes dhe do të bëjë të mundur lehtësimin e dialogut politik, shumë të domosdoshëm në këtë proces.
Integrimi i vendit në Bashkimin Europian duhet të jetë të krye të axhendës të secilës forcë politike. Por ky proces është karakterizuar nga mungesa e gjithëpërfshirjes, çka e ka vështirësuar realizimin e përgjegjësive maksimale nga forcat politike parlamentare. Në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimit, roli i Kuvendit të Shqipërisë duhet të jetë shumë më i madh.
Një vit më parë, ne si parti iu drejtuam Kuvendit me një amendim për ligjin nr. 15, datë 05.03.2015, Për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian, me synim gjithëpërfshirjen në procesin e integrimit, duke propozuar që Këshilli i Integrimit Europian të përbëhet nga të gjitha partitë parlamentare.
Por një vit pas propozimit të këtij ndryshimi në ligj, kjo nismë as nuk marrë fare në shqyrtim dhe është bllokuar nga maxhoranca.
Ndaj, në cilësinë e deputetes së Partisë së Lirisë, i jam drejtuar me një letër kryetares së Kuvendit, për t’i kërkuar vënien në dispozicion të deputetëve të kalendarit të takimeve me BE-në dhe raportime periodike për ecurinë e tyre.
Njëkohësisht, Xhixho i kërkon Kuvendit të informojë në lidhje me ngritjen e 33 tryezave të diskutimit dhe këshillimit, në mënyrë analoge me kapitujt e “acquis” të Bashkimit Evropian, të parashikuara në urdhrin e Kryeministrit nr. 113, datë 30.8.2019 për “Format e pjesëmarrjes, funksionimin dhe strukturën institucionale të Platformës së Partneritetit për integrimin evropian”.
Në përpjekjen tonë për t’u bërë pjesë e familjes europiane, nuk kemi më kohë për të humbur. Duhet të fitojmë kohën e shkuar dëm dhe të ndërmarrim një qasje thellësisht të re, për të shmangur dështimin e negociatave ende pa u hapur mirë! Le ta bëjmë këtë me transparencën maksimale, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të krijojmë terrenin e duhur për dialogun politik, aq të domosdoshëm në këtë stad.



