Në tryezën e përbashkët për reformën zgjedhore, të martën, Partia Demokratike ka propozuar pesë risi për financimin e partive politike.
Në draft theksohet se burimet e financimit të fushatës janë fondet e dhëna paradhënie nga Buxheti i Shtetit për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore.
Oerd Bylykbashi, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore tregoi sot se cilat janë propozimet e bëra nga PD për të forcuar kontrollin mbi financimin e partive politike gjatë fushatës elektorale.
“Propozimi i opozitës të bashkuar është një reduktim drastik i financimit që merret nga burime private duke e çuar në standarte ndërkombëtare në raportin 66% të financimit nga burime shtetërore dhe 33% nga burime private duke vënë një numër kufizimesh të forta për ata që do të financojnë”, tha Bylykbashi.
Sipas tij, është një risi në propozimin e opozitës për ata që kanë marrë para nga taksat e shqiptarëve, tendera apo koncesione nuk mund të financojnë dhe kush financon subjektet politike, nuk mund të marrë për një periudhë të caktuar tendera apo koncesione nga shteti për të shmangur plotësisht kapjen e partive politike nga oligarkia.
Megjithatë, Partia Demokratike, pyetjes së bërë nga TVT.al, “nëse një subjekt A merr tendera dhe, ka një furnitor një subjekt B, a mundet që subjekti B të financojë partitë politike”, Ivi Kaso iu përgjigj se koncepti i furnitorit nuk është përfshirë në këtë fazë të draftit, ndërsa opozita ka përfshirë vetëm nënkontraktorin, duke menduar se ai është një perfitues i drejtëpërdrejtë.
Kaso shpjegoi për TVT.al se edhe propozimet e bëra janë në një fazë paraprake, pasi kërkohet një konsensus politik nga palët për t’u miratuar.



