Drafti përfundimtar i Komisionit të Venecias lidhur me përplasjen e vjeshtës së kaluar në Shqipëri, mes presidentit Ilir Meta dhe Parlamentit për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetutese, i jep të drejtë, ashtu si dhe në variantin e parë të muajit mars, pozicionit të mbrojtur nga Kreu i Shtetit.
Teksti kundërshton gjithashtu propozimin e shumicës për të shmangur me ligj betimin e anëtarit të Gjykatës vetëm para presidentit, në rast se ky i fundit refuzon ta bëjë një gjë të tillë.
Përplasjet për emërimet u provokuan nga numri i vogël i kandidatëve, që mund të kualifikoheshin për gjashtë vende vakante (tre që duheshin emëruar nga Presidenti dhe 3 nga Parlamenti). Emrat në garë figuronin njëkohësisht në listat e të dy institucioneve.
Sikurse shkruan Zëri i Amerikës, ekspertët e Venecias i japin të drejtë presidentit për vendimin e tij për të pezulluar procedurën për zgjedhjen e kandidatit të tij nga lista e dytë, ndërkohë që socialistët e cilësuan si shkelje dhe vlerësuan të emëruar automatikisht kandidaten Arta Vorpsi.
Rasti i zonjës Vorpsi, e cila sipas shumicës duhej konsideruar e zgjedhur automatikisht pasi Presidenti nuk pranoi betimin e saj, bëri që socialistët të ndërmerrnin një nismë ligjore për të anashkaluar betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm para Kreut të Shtetit. Por dhe për këtë ekspertët e Venecias janë shprehur kritikë.
Në përfundimet e tyre, ekspertët e Venecias e shohin tejet problematike situatën e krijuar në Shqipëri, ku ende Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë nuk janë plotësisht funksionale.
Draft - Opinioni mbyllet me një thirrje për “nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim besnik midis institucioneve shtetërore. Pas opinionit të Komisionit të Venecias ka reaguar presidenca, e cila vë në dukje se ky opinion rikonfrimoi edhe një herë se kreu i Shtetit ka vepruar vetëm duke u bazuar në Kushtetutë.



