
Publikimi i përgjimeve në kuadër të hetimeve për dosjen Ndrageta në Itali dëmton imazhin e vendit. Në një analizë në studion e lajmeve në MCN TV, analisti dhe gazetari Mustafa Nano, tha se përgjimet janë një njollë që i vihet Shqipërisë, por nuk kanë lëndë të mjaftueshme për të ngritur akuza për vepër penale.
“Në terma të imazhit i bën një dëm të madh vendit. Janë publikime të bisedave mes biznesmenëve italianë, ku jepet përshtypja se Shqipëria është mbretëria e korrupsionit. Është një njollë që i vihet Shqipërisë. Nëse hyjmë te përgjimet, janë thjesht biseda. Në të vërtetë nuk ka prova, deri tani jemi në kuadër të muhabeteve. Është një gjë e mirë që SPAK ka vepruar menjëherë. Në pyetje mund të merren të gjithë, por bazuar në biseda nuk ka prova veprash penale. Përmenden thjesht emrat e tyre nga të tjerë. Në këtë kuptim është e vështirë të ngresh vepër penale dhe të spekulosh”, tha Nano.
Sipas gazetarit Nano, bisedat janë konfirmimi i radhës për korrupsionin e ngritur në sistem.
“Këtu kemi korrupsion të ngritur në sistem. Ajo që del në biseda është e vërtetë. Për këtë kanë meritë të gjitha palët. Kur erdhi Rama në pushtet, prisja ta zhbënte këtë lloj sistemi. Por ai bëri atë që kanë bërë edhe të tjerët para tij: e shfrytëzoi për të forcuar pozitat. Pa pasur prova dhe fakte konkrete. Që ka sistem të korruptuar, kjo është e qartë si drita e diellit”, tha ai.



