Kreu i PD, Lulzim Basha, ka premtuar heqjen e taksës mbi karburantin. Gjatë një takimi me banorët e Kukësit, të cilët i ftoi në protestën që PD-ja ka parashikuar më 16 shkurt, Basha tha se me të marrë pushtetin, do të ndërmarrë një sërë masash që do të çlirojnë ekonominë.
“Do të eleminojmë taksën Rama mbi karburantin, 300 lek më lirë, prej ditës sonë të parë në qeveri. Ditën e parë do të firmosim heqjen e taksës Rama. Kjo do të çlirojë ekonominë. Energjia elektrike, gjysma e familjeve në Kukës janë hequr nga ndihma ekonomike. Ne nuk mund të pranojmë që shteti t’i lërë pa bukë, pa ujë, pa drita. Familjet që janë hequr me të padrejtë nga ndihma ekonomike do të kenë ndihmë ekonomike të mjaftueshme për bukë, ujë dhe drita. Por, dua t’jua them hapur se prioriteti ynë kryesor është punësimi, nuk është lëmosha. Ose të vetëpunësohen ose punësohen në biznese”, tha Basha.



