
Kosova dhe Shqipëria zotohen për realizim të marrëveshjeve të nënshkruara nga Ministritë e Drejtësisë. Ky ishte mesazhi nga vizita e sotme në Kosovë, e ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.
Në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ata u zotuan për realizim të shumë të marrëveshjeve të cilat janë diskutuar në mbledhjen e fundit Kosovë-Shqipëri.
Haxhiu, bëri të ditur se me ministrin e Shqipërisë ka diskutuar për tema të përbashkëta për të dy republikat.
U ndjeva e nderuar që ta pres në takim ministrin Manja. Në këtë takim shprehem vullnetin e dyanshëm për bashkërendim të aktiviteteve tona në finalizimin e marrëveshjeve të cilat jemi zotuar në mbledhjen e fundit se do t’i jetësojmë bashkërisht.
Ministri i Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, theksoi se janë duke punuar për të dërguar marrëveshjet e nënshkruara përpara. Ai ka thënë se bashkëpunimi mes dy vendeve fillon nga drejtësia.
Manja veçoi zbatimin një marrëveshjeje lidhur me personat nga Kosova të dënuar me dënime alternative në Shqipëri.
Sa i përket ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunim. Nuk ka më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të njëjtat të drejta në Shqipëri në bashkëpunim civil dhe tregtar.
Është një numër rreth 284 shtetas të Republikës së Kosovës që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri.
Tani e mbrapa, pas finalizimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshje do të jetë Shërbimi Korrektues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri.
Të njëjtit nuk do të paraqiten në gjykatat në Shqipëri, por do të mund të mbikëqyren nga ato në Kosovë.
Manaj, shtoi se zotimet që kanë bërë të dyja vendet nuk do të mbesin vetëm në letër.



